February 26, 2014
POZITA E FEMRËS NË ISLAM & Islami Ndalon Dhunën ndaj Gruas
Të nderuar vllezër besimtare, besoj se jeni në dijeni se në mbarë botën po edhe tek ne, është bërë zakon që nga viti 1991 e deri më sot të organizohet një fushatë 16 ditëshe kundër dhunës ndaj gruas, fushatë kjo që zgjatë nga 25 nentori e deri më 10 dhjetor, andaj për këtë arsye ne si imam dhe prijës fetarë kemi vendosur që sot në hytbën tonë ta trajtojmë temën :
Pozita e femrës në Islam, e që një ndër pikat që do të fokusohemi në këtë temë është edhe ajo, se feja Islame është kundër ushtrimit të dhunës ndaj grave, kurse në anën tjetër është pro të drejtave të tyre sipas sheriatit Islam.
Vllezër të ndershëm, feja Islame na mëson, se si mashkulli por edhe femra që të dy janë të barabartë ( në shumë aspekte), dhe janë faktorë kyq për ruajtjen e llojit njerëzorë në Tokë.
Në ajetin e parë të sures En-nisa Allahu xh.sh na rikujton se pikënisja e jonë si lloj njerëzor është nga nje mashkull dhe femër, d.m.th nga Ademi dhe Hava alejhimasselam, dhe prej tyre filloj të shtohet njerëzimi e kështu do te vazhdoje të jetë deri në Diteën e Kijametit apo Kataklizmës dhe shkaterrimit të kesaj gjithësie…thotë Allahu xh.sh:
(يَا أَيُّهَا النَّاسُ اتَّقُوا رَبَّكُمُ الَّذِي خَلَقَكُمْ مِنْ نَفْسٍ وَاحِدَةٍ وَخَلَقَ مِنْهَا زَوْجَهَا وَبَثَّ مِنْهُمَا رِجَالاً كَثِيراً وَنِسَاءً ) (سورة النساء: من الآية 1)
“O ju njerëz! Kini frikë Zotin tuaj që ju ka krijuar prej një veteje (njeriu) dhe nga ajo krijoi palën e saj, e prej atyre dyve u shtuan burrra shumë e gra”.
Të nderuar vllezër besimtarë, Allahu xh.sh sa i përket obligimeve dhe dispozitave të Tij qoftë në besim apo ibadete, si mashkullit poashtu edhe femrës iu drejtohet në menyrë të barabartë, e poashtu edhe për veprat e tyre i shpërblen njësoj- pa dallim, këtë fakt e dëshmon ajeti 35 i sures apo kaptines el- Ahzab, në të cilin Allahu thotë:
(إِنَّ الْمُسْلِمِينَ وَالْمُسْلِمَاتِ وَالْمُؤْمِنِينَ وَالْمُؤْمِنَاتِ وَالْقَانِتِينَ وَالْقَانِتَاتِ وَالصَّادِقِينَ وَالصَّادِقَاتِ وَالصَّابِرِينَ وَالصَّابِرَاتِ وَالْخَاشِعِينَ وَالْخَاشِعَاتِ وَالْمُتَصَدِّقِينَ وَالْمُتَصَدِّقَاتِ وَالصَّائِمِينَ وَالصَّائِمَاتِ وَالْحَافِظِينَ فُرُوجَهُمْ وَالْحَافِظَاتِ وَالذَّاكِرِينَ اللَّهَ كَثِيراً وَالذَّاكِرَاتِ أَعَدَّ اللَّهُ لَهُمْ مَغْفِرَةً وَأَجْراً عَظِيماً) (سورة الأحزاب: 35)
Nuk ka dyshim se për muslimanët e muslimanet, besimtarët e besimtaret, adhuruesit e adhurueset, të sinqertit e të sinqertat, durimtarët e durimtaret, të përvuajturit e të përvuajturat, sadakadhënësit e sadakadhënëset, agjëruesit e agjërueset, ruajtësit e nderit e ruajtëset e nderit, shumëpërmendësit e All-llahut e shumëpërmendëset e All-llahut, All-llahu ka përgatitur falje (mëkatesh) dhe shpërblim të madh.
Ndërsa sa i përket krijimtarisë, apo natyrës së secilit, ska dyshim se mashkulli dhe femra ndryshojnë nga njëri -tjetri, dhe poashtu edhe sa i përket rolit në familje dihet se roli udhëheqës dhe i përkujdesjes për familje (duke iav siguruar kushtet e jetesës, ushqimin, pijen, veshëmbathjen, vendbanimin etj) i takon mashkullit, kurse gruaja është e ngarkuar me detyra dhe përgjegjësi tjera që i përshtatën natyrës së sajë, si fjala vjen, përkujdesja dhe edukimi ndaj fëmijve, ndëgjimi dhe respektimi i burrit, ruajtja e nderit dhe pasurise se tij etj…mirpo nga këto që u thanë, nuk do të thotë se gruaja e ka të obliguar të përkufizohet vetëm në këto, ajo ka të dretë të punojë nëse ka dëshirë dhe vullnet në ato vende që ia lejon sheriati Islam, ka të dretë të studijoj e hulumtojë etj …etj.
Të nderuar vllezër , edhe pse feja Islame i jep mashkullit një rol favorizues në raport me femrën në familje, ashtu siq u përmend më heret dhe ashtu siq thotë Allahu xh.sh në ajetin 34 të sures En-Nisaë :
(الرِّجَالُ قَوَّامُونَ عَلَى النِّسَاءِ بِمَا فَضَّلَ اللَّهُ بَعْضَهُمْ عَلَى بَعْضٍ وَبِمَا أَنْفَقُوا مِنْ أَمْوَالِهِمْ ) (سورة النساء: من الآية 34)
“Burrat janë përgjegjës për gratë, ngase All-llahu ka graduar disa mbi disa të tjerët dhe ngase ata kanë shpenzuar nga pasuria e tyre.”
Kjo e drejtë e përgjegjësisë së burrave ndaj grave të tyre është për shkak se ata janë të obliguar të kujdesen për ato në aspektin mbrojtës dhe në atë ekonomik për shkak se natyra e mashkullit i përballon këto, mirpo ky favor përgjegjësie në asnjë mënyrë nuk iu jep të drejtë burrave apo meshkujve që të ushtrojnë dhunë ndaj grave apo dikujt tjeter në familje, andaj mos e harroni këtë mesazh të kësaj hytbje: Islami ndalon dhunën ndaj grave.
E pse?, e si? do ta sqarojmë inshAllah në vijim duke iu referuar thënjeve pejgamberike.
Transmetohet nga kushejriu ta ketë pyetur pejgamberin a.s se çfarë haku kemi ne ndaj grave tona, d.m.th çfarë të drejtash duhet tua plotesojmë atyre: e pejgamberi a.s iu pergjigj kështu:
: "أن تطعمها إذا طعمت، وتكسوها إذا اكتسيت ولا تضرب الوجه ولا تقبِّح، ولا تهجر إلا في البيت".( سنن أبو داود اسناد صيح)
Ta ushqeshë atë( tia sigurosh ushqimin) kur ti ushqehesh, tia sigurosh veshmbathjen kur ti të keshë për vete , mos e goditë atë në fëtyrë, e as mos e shëmto (mos i thuajAllahu të shëmtoftë fëtyrën) dhe mos e braktisë atë përpos atëherë kur ti je në shtëpi (sh.a: është fjala për braktisjën në shtrat si masë edukues për gruan, atëherë kur bëhet e pandëgjueshme ndaj burrit të sajë).
Po ashtu kemi një rast tjetër kur në kohën pejgamberit a.s ishte rrahur një grua, e kur pejgamberi a.s ndëgjoj u hidhrua shumë, dhe ashtu siq transmeton Abdullah bin Zumah
i cili thot:
"وعظ النبي صلى الله عليه وسلم في النساء فقال: يضرب أحدكم امرأته ضرب العبد ثم يعانقها آخر النهار" رواه البخاري .
Na keshilloj pejgamberi a.s ne lidhje me gratë e tha:”(a është logjike) që dikush nga ju ta rrahë gruan e tij sikurse një rob e pastaj në fund të ditës ( d.m.th ne mbremje) ta perqafojë atë?!”.
Vllezër të ndershëm, ashtu siq e dini gjatë gjithë historisë ka pasur fakte e argumente se burrat kanë ushtruar dhunë ndaj grave, e kjo ka ndodhur për arsye të ndryshme, ose pershkak bindjeve dhe besimeve qe i kanë pasur kundrejt tyre, ose për shkak traditave të popujve të ndryshem, varsisht se çfarë pozite ka gëzuar femra tek ato shoqëri apo tek ata popuj…
Xhematli të ndershëm, edhe ne si popull nuk e mohojmë faktin se në të kaluarën tonë është ushtruar dhunë ndaj grave, por nuk e mohojme faktin se ndoshta edhe tash në shekullin 21 kemi raste të tilla…mirpo më e keqja është se shpeshherë nxitja e dhunës ndaj grave si në të kaluarën po ashtu edhe në ditet e sotme i mveshet islamit apo fese islame, kurse feja islame eshte larg kësaj , është e pastër nga këto intriga…
Andaj dhuna që është ushtruar ndaj grave ne të kaluaren por edhe tani tek ne ka mundur të jetë si rezultat i praktikimit të kanunit të Lekë Dugagjinit, apo ndoshta edhe traditës së trasheguar nga brezat e mëhershëm ( si p.sh aplikimi i kodit Romak apo të drejtes romake në periudhat e mëhershme, i cili gruan as që e llogaritë si njëri)…apo te ligjeve që kanë egzistuar më herët, e që ne tani nuk kemi mundesi të zgjerohemi e të permendim shembuj nga këto ligje…por ajo qka na intereson neve si muslimane është:
Qendrimi I Islamit ndaj gruas është shumë i prerë: Gruaja ose nëna është themeli i familjes e i shoqerise, gruaja është fole prehje dhe strehimi për bashkeshortin e saj, këtë e dëshmon Allahu i Madhëruar në Kuran ku thotë:
(وَمِنْ آيَاتِهِ أَنْ خَلَقَ لَكُمْ مِنْ أَنْفُسِكُمْ أَزْوَاجاً لِتَسْكُنُوا إِلَيْهَا وَجَعَلَ بَيْنَكُمْ مَوَدَّةً وَرَحْمَةً إِنَّ فِي ذَلِكَ لَآياتٍ لِقَوْمٍ يَتَفَكَّرُونَ) (سورة الروم: 21)
“Dhe nga faktet (e madhërisë së) e Tij është që për të mirën tuaj, Ai krijoi nga vetë lloji juaj palën (gratë), ashtu që të gjeni prehje tek ato dhe në mes jush krijoi dashuri dhe mëshirë. Në këtë ka argumente për njerëzit që mendojnë.”
Pastaj gruaja- nëna është edukatore e fëmijve të vet, dhe përshkak vështirsive të perkujdesjes ndaj fëmijve që i përjeton ajo që nga lindja e tyre e deri sa të rritën, meriton që fëmijët e saj (djemtë e vajzat) të kenë një respekt ma të veqantë se sa ndaj babait( ta kenë një respekt dhe perkujdesje shtesë në raport me nënën, kjo dëshmohet edhe në hadithe të pejgamberit a.s).
* Disa nga mënyrat shëruese të mospajtimeve në mes burrit dhe gruas.
Te nderuar vllezër, nuk ka mundesi që në çdo familje gjithëherë të ketë paqe e qetësi, është e natyrshme që në familje nganjëherë paraqitën probleme, mospajtime e mosmarveshje, e me theks të veqantë probleme e mospajtime shfaqen zakonisht në mes bashkëshortëve për arsye të ndryshme, porse e falenderojmë Allahun xh.sh I Cili në librin e tij Kuranin, na ka mësuar se si të zgjidhen problemet ne jetën bashkëshortore, e sinjale për këtë jep ajeti 34 i kaptinës En-nisa , nga I cili nxirren disa rregulla në lidhje më rregullimin e raporteve ne mes burrit dhe gruas dhe zgjedhjen e problemeve në jetën bashkëshortore.
Vllezër xhematli, e permendëm më herët se Allahu xh.sh me Urtësinë e Tij, burrin e ka bërë drejtues të familjes , dhe se gruaja ka për obligim ti bindet dhe ta ndëgjoj burrin e saj në punë të lejuara, e në rast se nuk i bindet dhe nuk i ndëgjon fjalet e burrit dhe nuk i përfill obligimet e saj që kanë të bëjnë me raportet normale në mes tyre ashtu siq i parasheh sheriati Islam, atëherë duhet të mirren këto masa edukuese sipas ajetit 34 të sures En-nisa qe të evitohen apo të shmangen këto probleme:
- Sëpari burri duhet ta këshilloj gruan e tij me fjalë të mira, duke ia rikujtuar asaj se është e obliguar ta ndegjoj e respektoj atë, e në këtë rast është mirë nese din tia permend edhe ndonjë ajet apo thënje të pejgamberit a.s si p.sh : thotë pejgamberi a.s:
إذا صلت المرأة خمسها وصامت شهرها وحصنت فرجها وأطاعت بعلها دخلت من أي أبواب الجنة شاءت (صحيح ابن حبان)
“Nëse gruaja i falë 5 kohët e namazit, e agjëron muajin (e ramazanit), e ruan nderin dhe i bindet burrit të saj, do të hyjë në xhennet nga cilado dere e tij që të dëshiroje ajo”.
Nëse ajo permirsohet bëhet mirë , po nëse nuk permisohet dhe metoda e këshillimit nuk tregohet e suksesheme, atëherë burri e e përdorë një masë edukative duke mos fjetur në një shtrat me të për një kohë , apo të flejë me të në shtrat , por e sanksionon atë duke mos bërë mardhënie intime me të për disa ditë … e nëse edhe pas kësaj nuk permirsohet, atëherë sheriati Islam e parasheh nje masë të lehtë qortuese edhe atë në raste specifike, kjo masë qortuese e përmendur në ajetin 34 të sures En-nisa shpeshherë është keqëkuptuar apo keqëinterpretuar, kurse e vërteta qëndron se ajo mund të perdoret në raste specifike kur medohet se është e suksesshme, dhe nëse bëhet duhet të jetë tepër e lehtë duke mos i shkaktuar ndonjë lëndim gruas,
e nese edhe masa qortuese nuk tregohet e suseshme, atëherë duhet të sillen dy këshilltare që gjykojnë drejt, e ata është mirë që të jenë njeri nga familja e burrit e tjetri nga familja e gruas, dhe pasi që ata ti ndëegjojn mospajtimet e burrit dhe gruas, ne fund vendosin se cili e ka më drejtë e cili e ka gabim.
Nese zgjidhen mospajtimet bëhet mirë e nese jo, rasti perfundon në gjykatën sheriatike nëse ka, nëse jo në gjykata të tjera ose mbetet ndarja apo shkurorizimi si opcion i fundit…e poashtu në islam edhe shkurorizimi ka rregulla të veqante, mund të bëhet dy here me nijjet -qëllim kthimi, kurse pas të tretës here nuk ka më drejtë ta kthejë gruan e tij.. të gjitha këto rregulla Allahu I Lartëmadhrishëm i ka paraparë që burri dhe gruaja të jetojnë jetë të lumtur, dhe të mos ndahen përveqse në rrethana kur nuk ka asnjë mundësi të vazhdimit të jetës bashkëshortore sëbashku.
Andaj vllezëer besoj se e vrejtët se si feja Islame nuk urdhëron për dhunë ndaj grave, e as mohim të drejtave të tyre, përkundrazi urdhron për një jetë të lumtur bashkëshortore, dhe se atëhere kur ka mospajtime ofron zgjidhje të tyre në menyre që të ruhet harmonia dhe lumturia në familje e te vazhdoje jeta bashkëshortore në kushte normale.
Të nderuar vllezër, nese kemi deshirë ta pasojme shembelltyrën e pejgamberit a.s , atehëre ne si muslimanë, si besimtarë duhet të sillemi mirë me gratë tona ose familjet tona, sepse pejgamberi a.s ka thene:
خيركم خيركم لأهله و أنا خيركم لأهلي............ سنن ترمذي
“Më i miri prej jush është ai që sillet mirë me familjen e tij, kurse unë jam ai që sillem më së miri me familjen time”…
Pastaj në një rast tjeter pejgamberi a.s kishte thënë:
استوصوا بالنساء خيرا
“Ju porosis të silleni mirë me gratë, “
e ky hadith është edhe mesazhi ynë i fundit i kësaj hytbe…
Të nderuar vllezër në fund të kësaj hytbe shkurtimisht edhe njëherë po i përmendim disa pika që kanë të bëjnë me pozitën e femrës në Islam duke u bazuar në argumente kuranore ose pejgamberike, nga to veqojmë:
- Ajo ka të drejtë ta gëzoj jetën në kushte normale sikurse burri, sepse edhe ajo eshte njëri si ai.
- Ajo ka të drejtë në trashegemi-apo miraz
- Ajo ka të drejtë ta merr mehrin- me rastin e lidhjes se aktit të martesës
- Ka të drejtë të kujdeset për femijët e vegjël të sajë.
- Ka të drejtë të interesohet për qështjet e përgjithshme të muslimanëve, dhe se edhe ajo e ka për obligim ta japë kontributin e sajë në këtë drejtim, duke urdhëruar për të mirë e duke ndaluar nga e keqja
- Ajo është e obliguar ti perfill parimet e besimit dhe ibadetet e dispozitat e fese sikurse edhe mashlkulli…
- Shpërblehet për punë të mira në ahiret sikurse edhe mashkulli
- Urdheresat në Kuran kur ju drejtohen besimtarëve , ato i perfshijne edhe besimtaret femra…
- Gruaja obligohet ti bindet dhe ta ndegjoj burrin gjithëherë, me perjashtim nëse e urdheron me bë mëkat nuk obligohet ta ndëgjoj.
* Femra apo gruaja ndalohet ti bëjë këto vepra, apo gabime.
- Nuk i lejohet femrës apo gruas të vetëmohet në ndonjë vend(jo publik) me ndonjë njeri të huaj.
-I ndalohet të perzihet me meshkuj, përveq në rrethana të domosdoshme e që nuk ka zgjidhje tjetër, kjo përshkak të fitness-ngacmimit që mund ti kanoset asaj.
- I ndalohet ta shfaqë bukurinë dhe stolitë e saj: .duke e mbuluar trupin me përjashtim të fytyrës dhe duarve, sepse gratë janë të obliguara që ato bukuri qe iav ka falë Allahu, tua shfaqin burrave të tyre legjitim kurse nuk janë të obliguara të mbajnë shami para të afërmve të ngusht që nuk ka ndonjë ndales për ta ( si p.sh ndaj babes, vëllaut, axhës, dajës . E tj).
Dhe në fund vllezër i lutemi Allahut xh.sh të na mundësoj të sillemi mirë me gratë e tona, me motrat e vajzat tona…e inshAllah kurrë nuk ndëgjojm se në mesin tonë apo në shoqërinë tonë dikush të ketë ushtëruar dhunë ndaj gruas…
Allahu na faltë e na meshiroftë të gjithve…Amin !
Hytbe e mbajtur në xhaminë Ramadanije-Llapit
Më datën: 06/12/2013
E përgaditi imami: Mr. Islam Hasani,
Subscribe to:
Post Comments (Atom)
No comments:
Post a Comment
Note: Only a member of this blog may post a comment.