July 19, 2011

I DERGUARI I ALLAHUT NE MES RESPEKTIT DHE VDEKJES

MUHAMMED HASSAN



Falënderimi i takon Allahut, Zotit të të gjitha botërave.
Paqja dhe shpëtimi qoftë mbi të dërguarin tonë, Muhammedin a.s., familjen, shokët dhe ata që e ndjekin rrugën e tij derisa të jetë jeta.


Pa dyshim çdonjëri prej nesh duhet të dijë se çdo fillim e ka edhe mbarimin e tij, çdo jetë që fillon në këtë botë do të përfundojë me vdekje. Lidhur me këtë, thotë Allahu xh.sh.:
“O ti njeri, vërtet ti përpiqesh me një përpjekje të madhe që çon te Zoti yt, e atë (përpjekje) do ta gjesh.” ( El-inshikak: 6)

Patjetër duhet ta kemi të qartë se kthimi ynë do të jetë tek Allahu xh.sh., sepse i dashuri i Allahut e jetoi jetën e tij dhe e përfundoi atë me kthimin e tij tek Allahu. Edhe ne të tjerëve nuk na mbetet aspak mëdyshje, do ta jetojmë jetën tonë dhe një ditë do të kthehemi tek Allahu xh.sh.

Me të vërtetë Allahu xh.sh e ngriti Pejgamberin a.s., i dha nder të veçantë në këtë botë dhe për ta vërtetuar këtë realitet le të ndalemi e t’i përkujtojmë thirrjet e ezanit, ku menjëherë pas dëshmisë për njëshmërinë e Krijuesit: “Eshhedu en la ilahe il-lallah” (Dëshmoj se s’ka të adhuruar tjetër përveç Allahut), përmendet dëshmia ”Eshhedu enne Muhamederr-Rresulullah” (Dëshmoj se Muhamedi është i Dërguari i Tij).

Ashtu siç po e vërejmë në dëshminë se Muhamedi a.s. është i Dërguari i Tij, emri i Pejgamberit a.s. po përmendet menjëherë pas emrit të Allahut xh.sh. pesë herë në ditë në tërë rruzullin tokësor. Gjithashtu, kohët e namazit kanë dallim prej vendit në vend për shkak se koha ndryshon dhe duke u mbështetur në një studim, thuajse çdo minutë përmendet emri i Muhamedit alejhi selam në tërë globin së bashku me emrin e Allahut, Allahu ekber! A ka nder dhe respekt më të madh se ky?!

Tani po përmendim një hadith të transmetuar nga Ibni Abasi, të cilin e transmeton Tirmidhiu: “Njëherë disa njerëz ishin tubuar afër shtëpisë së Pejgamberit alejhi selam dhe përkujtonin dhuntitë e mëdha që ia ka dhuruar Allahu të Dërguarve të Tij .

Kështu njëri prej tyre tha: “Allahu e zgjodhi Ibrahimin alejhi selam për halil-mik të Tij.” Tjetri tha: “A nuk është për t’u çuditur se Allahu e bëri Ademin a.s. baba të njerëzimit?” I treti tha: “A ka më çudi sesa Allahu t’i flasë Musait më fjalë?” I katërti tha: “A nuk është vepër madhështore që Allahu e frymëzoi Isain alejhi selam nga ana e Tij?!” Pas këtyre fjalëve doli Pejgamberi alejhi selam dhe u tha: “O ju njerëz, unë e dëgjova fjalimin dhe çudinë tuaj…
Ademi alejhi selam është babai i njerëzimit dhe ashtu është. Ibrahimi është Halilurrahman-Miku i Mëshiruesit dhe ashtu është. Musait Allahu i foli me fjalë dhe ashtu është. Isain Allahu e frymëzoi nga ana e Tij dhe ashtu është.
Ndërsa a nuk jam unë Habibullah - i dashuri i Allahut, pa u mburrur për këtë?
A nuk jam unë më i ndershmi, fisniku i të parëve dhe i të mbramëve, pa u mburrur për këtë?
A nuk do të jem unë ai që do ta mbajë flamurin e hamdit, falënderimit në Ditën e Kiametit, pa u mburrur për këtë?
A nuk do të jem unë ai që do të bëjë shefat, ndërmjetësim në Ditën e Kiametit, pa u mburrur për këtë?
A nuk jam unë i pari që do të më hapet toka, i pari që do të ringjallem në Ditën e Kiametit, pa u mburrur për këtë?
A nuk jam unë që do të hyj i pari në xhenet dhe me mua do të jenë të varfrit nga besimtarët, pa u mburrur për këtë?
A nuk jam unë më i ndershmi i të parëve dhe i të mbramëve tek Allahu , pa u mburrur për këtë?

S’ka mburrje

Shikoni edukatën madhështore të Pejgamberit alejhi selam, i cili edhe pas të gjitha këtyre dhuntive, përsëri dëshmon dhe thotë “nuk mburrem, s’ka mburrje”. Ai nuk u bë mendjemadh për këtë. Atëherë le të bindemi se me të vërtetë Muhamedi alejhi selam na prin i pari me modestinë e tij, paqja dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të.
Pejgamberi alejhi selam e di se madhështia i takon vetëm Allahut xh.sh.

Pa dyshim se edhe ne duhet të ruhemi shumë nga mendjemadhësia, kryelartësia dhe madhërimi i vetes sonë para të tjerëve, sepse e tërë madhëria i takon vetëm Allahut të Lartësuar.

Më lart vërejtëm se Pejgamberi alejhi selam nuk u mburr me dhuntitë e mëdha ndaj tij, mirëpo vetëm tregoi realitetin.

Pra, kështu veproi i Dashuri ynë alejhi selam, i cili thoshte: “Rabbi ummeti ummeti-O Zot …umeti im…umeti im…” dhe qante për gjendjen e muslimanëve derisa një ditë Allahu i Lartësuar e dërgoi Xhibrilin te i Dërguari i Tij dhe i tha: “Pyete se çfarë e bën të qajë?!” (Edhe pse Allahu është më i ditur për shkakun përse qante ai ). Zbriti Xhibrili dhe e pyeti se përse qan o Resulullah?”
“Umeti im, umeti im”, iu përgjigj ai. “Unë po qaj për gjendjen e umetit tim, o Xhibril, po frikësohem për gjendjen e umetit tim o Xhibril.” U ngrit Xhibrili te Alllahu dhe i tha: “Zoti im, ai qan për umetin e tij, e kujtoi umetin e tij dhe qante.” E Allahu xh.sh. i tha Xhibrilit: “O Xhibril, zbrit tek Muhamedi dhe thuaj: “Zoti i Plotfuqishëm po të thotë: “Ne do të bëjmë të kënaqesh me umetin tënd dhe s’do të të bëjmë keq kurrsesi.”

I nderoi Allahu besimtarët dhe këtë umet për nder të Mustafasë alejhi selam.

Besoj se ju kujtohet ndodhia e Israsë dhe Mi’raxhit, udhëtimit të Pejgamberit alejhi selam nga Meka në Kuds –Jerusalem dhe ngritja e tij prej Jerusalemit deri në qiellin më të lartë.

Atëherë kur Xhibrili alejhi selam u ndal te Sidretul Munteha-pema e zambakut dhe atëherë kur Pejgamberi alejhi selam i tha Xhibrilit: “A ndodh që në këtë vend ta lë vetëm shoku-shokun?” Në këtë moment Xhibrili iu paraqit atij me tërë dritën e tij dhe i tha: “O Pejgamber i Allahut, për të gjithë ne ka limit.” Me këto fjalë i bëri me dije se assesi nuk mundet ta shoqërojë më duke i thënë: “Pasha atë që të dërgoi ty me të vërtetën, po sikur të vë vetëm një hap më tepër, do të digjesha nga dritat envarul kemal, urdhëro ti te Allahu i Madhëruar.” Pastaj, Pejgamberi alejhi selam i hutuar në atë vend të panjohur që s’e kishte parë e as ëndërruar kurrë pyeti: “Ku jam unë o Zoti im?” Më pas dëgjoi thirrjen nga Allahu e cila i mbulonte të gjitha anët ku thuhej:
أنت على بساط أنس الله Ti je afër Meje

Atëherë Pejgamberi alejhi selam kishte thënë: “Unë dëshiroj të të pyes o Allah.” E, Allahu i Lartësuar iu përgjigj duke i thënë: “O Muhamed, Unë jam Sunduesi i sunduesve, i përgjigjem nevojtarëve, kush më lutet Mua i përgjigjem, kush më kërkon mua i jap dhe kush ndalet në derën time, e pranoj atë. Pyetmë o Muhamed!”

Pastaj Pejgamberi alejhi selam i tha: “O Zoti im, e ke zgjedhur Ibrahimin për mik Tëndin, i ke folur Musait me fjalë (sa ishte Pejgamber), e ke ngritur Idrisin në një vend të lartë, i ke dhënë Sulejmanit një sundim të madh, duke ia nënshtruar atij njerëzit, xhinët, shpezët dhe erën, e ke krijuar Isën min rewhik-e frymëzove nga ana Jote, ndërsa mua me çka më nderove apo dallove prej këtyre? Cili është nderi dhe respekti Yt për mua në dallim nga këta?”

Pra, shikojeni se çfarë bisede të bukur, dhe me çfarë edukate të lartë shprehej Pejgamberi alejhi selam.

Iu përgjigj Allahu i Madhëruar duke i thënë: “Pasha Madhërinë Time, o Muhamed, nëse Unë e kam zgjedhur Ibrahimin halil-Mik, ty o Muhamed të kam zgjedhur habiib, të dashur, e habibi është më i ngritur dhe më i nderuar se halili. Nëse Unë i kam folur Musait me fjalë, i kam folur atij pas perdes, ndërsa ti tani je على بساط أنس الله afër Meje
Dhe nëse e kam ngritur Idrisin në një vend të lartë, atë e kam ngritur në qiellin e katërt, ndërsa ti tani o Muhamed ke arritur në vendin që kurrë para teje s’ka arritur kush dhe as që do të arrijë dikush pas teje këtu më.
Dhe nëse Unë i kam dhënë Sulejmanit sundim të madh, duke ia nënshtruar atij njerëzit, xhinët, shpezët dhe erën, ty o Muhamed ta kam bërë tokën vendfalje, ndërsa dheun të pastër që pastron dhe të kam dhënë shtatëshin e përsëritur dhe Kuranin e Madhëruar, që në të është: kaptina El-bekareh, Ali Imraan, En-Nisa, dhe El-Fatihah. Pasha Madhërinë Time, o Muhamed, nuk ndodh që ta lexojë dikush nga umeti yt, e që të mos ia fal mëkatet atij, edhe nëse janë ato sa shkuma e detit.
O Muhamed, nëse e kam krijuar Isain min rewhii-e kam frymëzuar nga ana Ime, ty ta kam nxjerrë emrin nga rrënja e njërit prej emrave të Mi dhe ta kam shoqëruar me emrin Tim, kështu që nuk ndodh të thotë dikush la ilahe il-lallah, pa ia bashkangjitur Muhamedun resulullah. Kështu përmendet emri yt së bashku me emrin e Sunduesit.
Pasha Madhërinë Time, o Muhamed, kush nuk e pranon pejgamberinë tënde, dërgesën tënde, assesi nuk do t’ia pranoj punën e tij dhe ai në ahiret-botën tjetër do të jetë prej të humburve.”

Ky pra ishte nderi që i bëri Allahu xh.sh. të Dërguarit të Tij alejhi selam.
Jo vetëm kaq, por Muhamedi alejhi selam është krijesa e vetme që do të flasë në Ditën e Kiametit, ndërsa Pejgamberët e tjerë të gjithë do të dorëzohen dhe nuk do të guxojnë ta marrin një hap të tillë, nuk do të guxojë të flasë as Ibrahimi –miku i Allahut, as Musai që i foli Allahu me fjalë, as Isai, as Idrisi, as Nuhu, të gjithë do të dorëzohen dhe do t’i preokupojë vetëm vetja e tyre në atë ditë. Jo vetëm Pejgamberët, por edhe melekët që kurrë nuk kanë bërë asnjë mëkat, nuk do të guxojnë të flasin atë ditë! A e dini se çfarë do të thonë pasi t’i fryhet surit! “I lavdëruar qofsh Zoti ynë, ne nuk të kemi adhuruar me një adhurim të denjë.” (d.m.th. dyshojnë se nuk ia kanë dhënë hakun adhurimit, ibadetit ndaj Allahut.)
Ndërsa tani të shohim se çfarë do të thotë mësuesi i njerëzimit, Muhamed bin Abdil-lahu! Ai do të thotë ashtu siç është transmetuar në Sahihun e Buhariut dhe Muslimit nga më shumë se 24 sahabë: “Në Ditën e Kiametit do të vështirësohet shumë gjendja e njerëzve, në këtë ditë të pikëllimit dhe pendimit, këtë ditë kur s’do të flasë asnjë krijesë përveçse me lejen e Allahut, Zotit të botëve.
Në këtë ditë, Allahu i Lartësuar do të thërrasë: “O ju njerëz. Unë kam heshtur shumë sa ishit ju në dynja, tani heshtni ju, është radha juaj. Në këto momente nuk flet asnjë krijesë, kudo dhe kushdo që të jetë, në këto momente të vështira dhe në këtë gjendje dielli afrohet afër kokave të njerëzve, ndërsa njerëzit do të zhyten në djersë sipas veprave të tyre.
Do të ketë prej njerëzve që do të zhyten në djersë deri në shok, do të ketë edhe të atillë që do të fundosen krejtësisht në djersë, megjithatë krijesat fillojnë të kërkojnë ndihmë nga Pejgamberët për të ndërmjetësuar tek Allahu. Do të drejtohen së pari te Ademi duke i thënë: “O baba i njerëzimit, ndërmjetëso te Allahu ta fillojë gjykimin tonë.” A e dini se si u përgjigjet atyre Ademi? “Allahu xh.sh. është hidhëruar sot si kurrë më parë dhe unë turpërohem të ndërmjetësoj tek Allahu sot. Nuk më brengos asgjë përveçse vetja ime, shkoni te Ibrahimi halili-miku i Allahut.” Pastaj njerëzit nxitojnë e i thonë: “O Ibrahim, o miku i Mëshiruesit, ndërmjetëso për ne tek Allahu që të gjykojë në mes nesh”, mirëpo edhe Ibrahimi alejhi selam u thotë: “Allahu az-ze ve xhel është hidhëruar sot si kurrë më parë dhe unë turpërohem të ndërmjetësoj tek Allahu sot. Nuk më brengos asgjë përveçse vetja ime...”
Dhe kështu vazhdojnë njerëzit të shkojnë edhe tek Musai që i foli Allahu me fjalë... “O Musa, ndërmjetëso për ne tek Allahu të gjykojë mes nesh”, mirëpo edhe Musai thotë “...vetja ime ..vetja ime.. Allahu xh.sh është hidhëruar sot si kurrë më parë dhe unë turpërohem të ndërmjetësoj tek Allahu sot, nuk më brengos asgjë përveçse vetja ime, shkoni tek Isai që e frymëzoi Allahu nga ana e Tij.” Pastaj nxitojnë njerëzit te Isai e i thonë: “O Isa, o ti që Allahu të frymëzoi nga ana e Tij, ndërmjetëso për ne tek Allahu që të gjykojë në mes nesh”, mirëpo edhe Isai u thotë: “Allahu është hidhëruar sot si kurrë më parë dhe unë turpërohem të ndërmjetësoj tek Allahu sot, nuk më brengos asgjë përveçse vetja ime, mirëpo unë do t’ju njoftoj për një tregti të sigurt (për personin e duhur), nxitoni te Muhamedi i biri i Abdullahut, shkoni tek ai që Allahu xh.sh ia ka falur mëkatet e para dhe të fundit.” Pastaj tregon i Dërguari alejhi selam duke thënë: “Më drejtohen mua krijesat duke më thënë: “O i Dërguar i Allahut, o ti që të janë falur mëkatet e para dhe të fundit, ndërmjetëso për ne te Zoti ynë që të gjykojë mes nesh”, dhe pastaj përgjigjem duke u thënë: “Po, po unë jam për këtë, unë jam për këtë!” (I lavdëruar qoftë Allahu, sa nderim i madh është ky për të Dërguarin alejhi selam.)
Me të vërtetë shefati, ndërmjetësimi, është pozita më e lartë që Allahu xh.sh. i dha të Dërguarit alejhi selam, ndërsa sa i përket mënyrës se si Muhamedi alejhi selam do të kërkojë shefat, do ta përmendim tani në vijim.
Së pari, do të bëj sexhde te Arshi i Allahut të Lartësuar dhe do të falënderojë Allahun me hamde, falënderime, që askush më parë nuk e ka falënderuar ashtu, as të Dërguarit e tjerë më parë dhe as që do ta falënderojë dikush ashtu pas të Dërguarit Muhamed Mustafasë alejhi selam.

Na tregon i Dërguari alejhi selam se si lutet tek Arshi duke thënë: “O Zoti Im, o Mbështetësi im, nuk ka pasur të Dërguar që të janë lutur Ty në dynja e që Ti nuk u je përgjigjur dhe përmbushur duatë e tyre përveç meje, që e kam lënë, e kam rezervuar lutjen time për sot. Këtë e bëj për të kërkuar shefat, ndërmjetësim për umetin tim në Ditën e Kiametit, kërkoj shefat O Zoti im.” Dhe pastaj dëgjojnë thirrjen nga Allahu, që thotë: “O Muhamed, ngrije kokën tënde, kërko e do të jepet, kërko shefat e do të pranohet.”
Pastaj ndërmjetëson Pejgamberi alejhi selam për çdo besimtar dhe musliman që në zemrën e tij ka iman, besim qoftë edhe sa kokrra e melit, për ata që kanë besuar duke thënë la ilahe ill-lallah Muhamedurresulullah, dëshmojmë se s’ka Zot tjetër përveç Allahut dhe se Muhamedi është i Dërguari i Tij...dëshmi që e kanë thënë me sinqeritet nga zemra e tyre.

Ky pra ishte nderi dhe respekti që i dha Allahu xh.sh. të Dërguarit dhe të dashurit të Tij.
Kështu, Pejgamberi alejhi selam e kaloi tërë jetën e tij në mes nderit dhe respektit.
Kështu e kaloi jetën e tij alejhi selam derisa i erdhi meleku Xhibril një ditë me ajetet që gjenden në kaptinën En-Nasr, ku Allahu xh.sh. thotë:

إِذَا جَاءَ نَصْرُ اللَّهِ وَالْفَتْحُ (1) وَرَأَيْتَ النَّاسَ يَدْخُلُونَ فِي دِينِ اللَّهِ أَفْوَاجًا (2) فَسَبِّحْ بِحَمْدِ رَبِّكَ وَاسْتَغْفِرْهُ إِنَّهُ كَانَ تَوَّابًا (3)
110:1. Kur erdhi ndihma e Allahut dhe çlirimi (ngadhënjimi),
110:2. Dhe i pe njerëzit që po hyjnë turma-turma në fenë e Allahut.
110:3. Ti, pra, lartësoje Zotin tënd duke falënderuar dhe kërko nga Ai falje. Ai vërtet pranon shumë pendimin, është mëshirues i madh.


Atëherë kur Xhibrili alejhi selam i zbriti me këto ajete, Muhamedi alejhi selam i tha: “O Xhibril, përmes këtyre ajeteve unë po kuptoj se exheli im veç më është afruar.” Pastaj Xhibrili iu përgjigj: “O i Dërguar i Allahut:
وَلَلْآَخِرَةُ خَيْرٌ لَكَ مِنَ الْأُولَى (4
Dhe se bota e ardhshme është shumë më e mirë për ty se e para.


Pas kësaj ndodhie Pejgamberi alejhi selam kishte dalë për të vizituar varrezat e dëshmorëve të rënë në Uhud. Kjo ndodhi pasi kishin kaluar 81 ditë nga haxhi i lamtumirës.

I Dërguari alejhi selam kishte dalë në Uhud për të vizituar të rënët dëshmorë që ishin vrarë para 8 vitesh. Kishte qëndruar një kohë, ishte lutur për ta, i kishte përshëndetur dhe pastaj ishte kthyer në Medinë.
Porsa ishte kthyer në Medinë, i Dërguari alejhi selam kishte hyrë në xhaminë e tij, kishte tubuar njerëzit, ishte ngritur në minber dhe pastaj kishte thënë: “O ju njerëz, unë së shpejti do të ndahem nga ju për të kaluar në fqinjësi tek Allahu dhe unë jam dëshmitar te ju për këtë.
O ju njerëz, unë nuk frikësohem se do t’i bëni shirk Allahut pas meje, pasi të largohem prej jush, mirëpo frikësohem se do të jepeni pas dynjasë-kësaj bote derisa edhe do të garoni për të, ashtu siç kanë garuar ata para jush e që janë humbur dhe shkatërruar. Edhe ju, nëse veproni në atë mënyrë, do të humbni dhe shkatërroheni si ata.”

Pastaj tha: “O ju njerëz, një robi i është ofruar e tërë e mira që është në këtë botë dhe çka të dojë ai, mirëpo ai e zgjodhi atë që gjendet te Zoti i tij në ahiret.”

Kur i dëgjoi këto fjalë, Ebu Bekri u ngrit duke thënë: “I sakrifikojmë shpirtrat tanë për ty o Resulullah!” Filluan të qajnë njerëzit që ishin në xhami, të habitur me thënien e Siddikut, se përse e tha, përse veproi ashtu!

I Dërguari alejhi selam u mori shembull atyre një rob të cilit i ishte ofruar të zgjedhë në mes kësaj bote dhe ahiretit dhe ai kishte zgjedhur ahiretin.

Ebu Bekri ishte ai që e kuptoi se ky rob ishte vetë Resulullahu alejhi selam. Më pas
u mblodhën njerëzit rreth Ebu Bekrit. Pastaj Pejgamberi alejhi selam bëri me shenjë nga ai dhe tha: “O ju njerëz, ai i cili më ka ndihmuar më së shumti me shoqërimin dhe pasurinë e tij është Ebu Bekri. Të gjithë juve ua kemi kthyer(kompensuar) të mirat që na i keni bërë, përveç Siddikut, që ia kemi lënë Allahut t’ia kthejë dhe ta shpërblejë për to.

O ju njerëz, të gjitha dyert e xhamisë do të mbyllen prej sot përveç derës së Ebu Beker es-Siddikut.”
Pas kësaj thënieje zbriti i Dërguari alejhi selam nga minberi dhe hyri në dhomën e Aishes. Kur hyri brenda, Aishja e thirri duke i thënë: “O i Dërguar i Allahut, ndiej dhembje të madhe koke”, ndërsa Pejgamberi alejhi selam iu përgjigj: “Edhe unë ndiej dhembje të madhe koke oj Aishe.” Pastaj mori leje prej saj që t’i vizitojë gratë e tjera. Posa doli nga dhoma e saj, iu rëndua edhe më shumë dhembja Resulullahut, iu shtua temperatura dhe kështu u sëmur.
Pastaj kërkoi leje prej grave të tjera që të vendoset në shtëpinë e Aishes, ndërsa ato ta vizitojnë aty. I dhanë leje të gjitha gratë e tij, Allahu qoftë i kënaqur me to, dhe duke u kthyer në shtëpinë e Aishes këmbët e Resulullahut nuk mundën të mbanin më, e ndihmuan Aliu dhe Abasi për t’u kthyer në shtëpi.
Kështu iu rëndua sëmundja edhe më shumë Resulullahut dhe sapo e pa Aishja në këtë gjendje, filloi të qajë dhe tha: “Sakrifikoj jetën dhe shpirtin për ty o i Dërguar! Ah sikur të isha unë në gjendjen tënde o Resulullah!” Pastaj pejgamberi alejhi selam ia ktheu: “Oh koka ime, oj Aishe!” Dhe pastaj iu shtua edhe më shumë temperatura. Në ato momente, Pejgamberi alejhi selam porositi t’i sillnin ujë të ftohtë dhe t’ia hidhnin mbi kokë. Kështu vepruan, i sollën ujë dhe ia hidhnin Pejgamberit alejhi selam mbi kokë, derisa u kishte thënë: “Mjaft më....”

E tërë kjo ndodhi që i ndodhi Resulullahut gjendet në hadithet e Pejgamberit alejhi selam, të cilat i transmetojnë shumë nga sahabët e Pejgamberit dhe nga Aishja. Të gjitha këto hadithe janë regjistruar në sahihun e Buhariut dhe në Fethul-Bari.

Ashtu siç u tha më lart, Resulullahut i hodhën ujë të ftohtë mbi kokë derisa tha mjafton.
Pas kësaj ndodhie, tregon Abdullah ibni Omeri: “Hyra te Pejgamberi alejhi selam dhe e pashë se ai ishte i sëmurë rëndë.” I thashë: “O Resulullah, me të vërtetë qenke në një situatë të vështirë”, ndërsa Pejgamberi alejhi selam i kishte thënë Abdullah ibni Omerit: “Nuk ka mundësi ta godasë besimtarin diçka nga sëmundja apo fatkeqësia qoftë ajo edhe një ferrë në këmbën e tij e të mos ia falë dhe shlyejë Allahu gjynahet përmes saj.”

Pastaj kishte hyrë Ebu Bekri te Resulullahu dhe e gjeti të sëmurë në shtrat. Ebu Bekri në dorën e tij e kishte një misvak, ndërsa Aishja e vërejti se Pejgamberi alejhi selam e shikonte misvakun në dorën e Ebu Bekrit dhe e kuptoi se ai kërkonte misvakun. E mori Aishja nga dora e Ebu Bekrit dhe ia dha Resulullahut alejhi selam.

Pastaj tregon Aishja, Allahu qoftë i kënaqur me të, se më herët, kur e ndiente veten të sëmurë, Pejgamberi alejhi selam i këndonte dy “kuleudhat” dhe e përshkonte trupin me duart e tij, por kur u sëmur shumë, fillova edhe unë t’i këndoja dhe t’ia përshkoja trupin me duart e tij.

Pas kësaj Pejgamberit alejhi selam iu rëndua edhe më shumë sëmundja. Në shtëpinë e tij kishte ende 7 dinarë. Në këto momente, Pejgamberi alejhi selam e porositi Aishen duke i thënë: “Jepi sadaka ata 7 dinarë oj Aishe!” Këtë thënie e kishte përsëritur disa herë. Resulullahu frikësohej për këtë pasuri që kishte ende në shtëpinë e tij.

Aishja i thoshte: “Na nevojiten për sëmundjen tënde, o Resulullah1”, ndërsa Pejgamberi alejhi selam i tha: “Çfarë mëkati do të jetë për Muhamedin nëse e takon Allahun ndërsa në shtëpinë e tij janë ende ata 7 dinarë. Po ju them jepini sadaka oj Aishe!”

Pas kësaj iu rëndua sëmundja edhe më shumë, kurse tek ai hyri vajza e tij Fatimja.
Sa ishte mirë Pejgamberi alejhi selam, kur hynte Fatimja, çohej për të, ndërsa kësaj here nuk mundi të ngrihej për të. Pastaj Fatimja filloi t’ia puthë duart dhe të qajë. I thoshte: “E sakrifikoj jetën dhe shpirtin tim për ty o Resulullah!” Kështu qante Fatimja derisa filloi të qajë edhe Resulullahu. Pataj Pejgamberi alejhi selam i tha: “Oj Fatime, bëj sabër vajza ime, me të vërtetë Xhibrili më është paraqitur tani për herë të dytë në vit dhe më herët më ka zbritur vetëm një herë në vit. Nga kjo unë po kuptoj se exheli më është afruar.”

Pas bisedës së dhimbshme që zhvilloi Pejgamberi alejhi selam me Fatimen, Allahu qoftë i kënaqur me të, ajo doli duke qarë. Dhe kështu, ditën e premtuar, atë ditë kur ndërroi jetë Resulullahu, u mblodhën njerëzit në xhami për të falur namazin e sabahut. Doli Ebu Bekri për të falur namazin. (Ebu Bekri e kishte zëvendësuar Resulullahun në 17 namaze gjatë kohës kur ai ishte i sëmurë.)

Në këtë ditë i erdhi pak fuqi Resulullahut dhe vendosi të shkojë në xhami për t’u falur. Ai thirri Aliun dhe Abasin që ta ndihmonin për të shkuar në xhami. Kur hynë në xhami, e gjetën atë të mbushur me safa deri në fund. U gëzuan muslimanët pa masë kur e panë Resulullahun alejhi selam. Filluan ta ngrinin zërin duke bërë istigfar dhe duke e falënderuar Allahun e në këtë rast Ebu Bekri e kuptoi se ky gëzim është vetëm për Resulullahun alejhi selam. Pastaj kishte tentuar të kthehej prapa për t’i dhënë mundësi Pejgamberit alejhi selam për të dalë imam, mirëpo Pejgamberi alejhi selam e ndaloi.
Pejgamberi alejhi selam ishte ulur pranë Ebu Bekrit dhe u fal pas tij. Ky rast me të vërtetë ishte nder i veçantë për Siddikun, që ai të printe si imam, ndërsa Resulullahu, krijesa më e ndritur, si xhematli pas tij.
Pasi përfundoi namazi i sabahut të asaj dite, Pejgamberi alejhi selam porositi që ta ndihmonin për të arritur deri në minber. Kur arriti u ul në shkallët e poshtme, pastaj u ngrit dhe u tha:
“O ju njerëz, më kanë informuar se ju po frikësoheni për vdekjen e Pejgamberit tuaj, mirëpo unë po ju pyes: “A keni dëgjuar se ndonjë Pejgamber ka jetuar përgjithmonë në këtë dynja e që të jem edhe unë si ta, të jetoj përgjithmonë?
Edhe unë do të jem ai që do të shkoj tek Zoti im e edhe ju do të vini pas meje.
O ju njerëz, ju porosis të silleni mirë me muhaxhirët e parë dhe i porosis muhaxhirët që të sillen mirë në mes tyre. Pastaj citoi ajetin kuranor ku Allahu thotë :
(فَهَلْ عَسَيْتُمْ إِنْ تَوَلَّيْتُمْ أَنْ تُفْسِدُوا فِي الْأَرْضِ وَتُقَطِّعُوا أَرْحَامَكُمْ) (سورة محمد: 22)
“A pritet prej jush (hipokritëve) që nëse merrni sundimin (ose sprapseni prej fesë islame) të bëni trazira në tokë dhe të ndërprisni lidhjet e akraballëkut?”


Pastaj citoi:
وَالْعَصْرِ (1) إِنَّ الْإِنْسَانَ لَفِي خُسْرٍ (2) إِلَّا الَّذِينَ آَمَنُوا وَعَمِلُوا الصَّالِحَاتِ وَتَوَاصَوْا بِالْحَقِّ وَتَوَاصَوْا بِالصَّبْرِ (3)
103:1. Pasha kohën!
103:2. Nuk ka dyshim se njeriu është në një humbje të sigurt.
103:3. Me përjashtim të atyre që besuan, që bënë vepra të mira, që porositën njëri-tjetrin t’i përmbahen të vërtetës dhe që këshilluan njëri-tjetrin të jenë të durueshëm.


Pas leximit të këtyre ajeteve Pejgamberi alejhi selam tha:

“O ju njerëz, ju porosis që të silleni mirë me ensarët” dhe citoi ajetin kuranor:

“Edhe ata që përgatitën vendin (Medinën) dhe besimin para tyre, i duan ata që shpërnguleshin tek ata dhe nuk ndiejnë në gjokset e tyre ndonjë nevojë (për zili a tjetër) nga ajo që u jepej atyre (muhaxhirëve), madje edhe sikur të kishin vetë nevojë për të, ata u jepnin përparësi atyre para vetvetes. Kush është i ruajtur prej lakmisë së vet, të tillët janë të shpëtuar.” (Hasher 9)

Pastaj tha: “O ju njerëz, me të vërtetë Allahu nuk i bën padrejtësi askujt, kush mundohet ta mashtrojë Allahun, Ai do ti sjellë mashtrim atij.
O ju njerëz, ju përshëndes me selam, Allahu ju furnizoftë, Allahu ju ngrittë pozitat, Allahu ju shpërbleftë, Allahu ju ndihmoftë, Allahu ju bëftë krenarë! Jua tërheq vërejtjen juve, ju porosis me takvallëk dhe devotshmëri.
O ju njerëz, kush dëshiron të takohet me mua te Haudi nesër, le të ketë kujdes për dorën dhe gjuhën e tij, përveç atëherë kur është patjetër e nevojshme.”

Pastaj kishte thënë: “O ju njerëz, nëse unë vdes dhe më lani e qefinosni, më lini në shtratin tim një kohë, vetëm që të mos hyjë askush, sepse xhenzen time do të ma falë Xhibrili a.s.”
Pas asaj kohe të hyjë familja ime, të afërmit e mi, pastaj ju. Mos ma falni xhenazen me imam (sepse Pejgamberi alejhi selam ka qenë zotëria i imamëve).”

Pas këtyre fjalëve të dhimbshme, Pejgamberi alejhi selam porositi duke thënë: “O njerëz, më dërgoni mua selam prej kësaj dite e deri në Ditën e Kiametit.”

Pastaj zbriti Pejgamberi alejhi selam prej minberit dhe hyri në dhomën e Aishes. Iu rëndua sëmundja prapë Resulullahut. Pastaj Pejgamberi alejhi selam flejti për një kohë në prehër të Aishes dhe kur u zgjua, pa afër tij Xhibrilin alejhi selam!
“Më ka dërguar Allahu te ti o Resulullah”. i tha Xhibrili. “Ky me mua është meleku i vdekjes. Allahu të ka dhënë mundësi zgjedhjeje, nëse dëshiron të transferohesh te Allahu, ja ku është meleku i vdekjes, ndërsa nëse dëshiron të jetosh në këtë botë për gjithmonë, Allahu xh.sh. po të jep mundësi o Resulullah.” Pastaj pejgamberi alejhi selam e kishte shikuar Xhibrilin dhe i kishte thënë: “Jepi leje melekut të vdekjes të ma marrë shpirtin o Xhibril!”

Pastaj kishte hyrë meleku i vdekjes te Mustafai alejhi selam dhe i kishte dhënë selam. Pastaj i kishte thënë: “Allahu më ka dërguar tek ti dhe unë jam në dispozicionin tënd. Çfarë të duash më urdhëro. Nëse më urdhëron të ta marr shpirtin, ta marr, por nëse më urdhëron të ta lë, po ta lë. Më urdhëro ç’të dëshirosh o Resulullah!”

Ky ishte nderi dhe respekti që i dha Allahu xh.sh. Pejgamberit alejhi selam edhe në momentin e vdekjes: meleku i vdekjes merr leje prej Resulullahut. S’ka ndodhur më herët t’i marrë leje ndonjë Pejgamberi dhe as nuk do të ndodhë t’i marrë leje dikujt tjetër pas Pejgamberit alejhi selam.
Në momentin kur i kërkoi leje meleku i vdekjes, Pejgamberit alejhi selam përsëri e shikoi Xhibrilin, ndërsa Xhibrili i tha: “Është rritur përmallimi i Allahut për ty o i Dërguar i Allahut, kurse Pejgamberi alejhi selam tha: “Edhe unë jam përmalluar për takimin me Zotin tim o Xhibril.”

Pastaj kishte thënë: “Ma merr shpirtin o melek i vdekjes.” Dhe kur iu afrua meleku për t’ia marrë shpirtin Pejgamberit alejhi selam, atëherë Xhibrili deshi të nisej dhe i dha Pejgamberit dhe familjes së tij selam dhe tha: “Çdo shpirt do ta shijojë vdekjen...”
Pastaj u ul meleku i vdekjes te koka e Pejgamberit alejhi selam dhe i tha :
يَا أَيَّتُهَا النَّفْسُ الْمُطْمَئِنَّةُ (27) ارْجِعِي إِلَى رَبِّكِ رَاضِيَةً مَرْضِيَّةً (28)
O ti shpirt i bindur plotësisht!

Kthehu te Zoti yt i vetëkënaqur e i pranuar!

Kështu përfundoi jeta e krijesës më të ndritur, jeta e Muhamed Mustafasë alejhi selam.


E përgaditi dhe pershtati ne shqip: Islam Hasani

No comments:

Post a Comment

Note: Only a member of this blog may post a comment.